Skip to main content
Kirurg Kardiovaskular
Shef i Departamentit të Kardiokirurgjisë
SPITALI HYGEIA TIRANE

Shenjat e sëmundjeve të zemrës

Zemra është një organ i cili mund të preket nga sëmundje që dëmtojnë miokardin ose valvulat e saj. I sëmuri mund të ndjejë shqetësime të ndryshme të cilat varen nga lloji i sëmundjes por edhe nga rëndesa e saj. Në shumicën e rasteve problemet e zemrës zhvillohen shumë ngadalë me kalimin e viteve. Gjatë kësaj periudhe zemra krijon vetvetiu mekanizma të ndryshëm përplotësues që të arrijë përmbushë nevojat e organizmit me gjak. Për vite të tëra të sëmurët mund të mos kenë asnjë shqetësim por herët a vonë simptomat do të shfaqen dhe i sëmuri do të kuptojë se diçka po ndodh. Atëherë ai duhet t’i drejtohet mjekut që të diagnostikojë dhe të trajtojë problemin.

Cilat janë shenjat për të cilat duhet të dyshojmë se zemra mund të ketë problem?

Dhimbja. Kjo është ndër simptomat kryesore të zemrës. Quhet ndryshe anginë. Angina mund të ketë veçori tipike ose jo. Veçori dalluese është lokalizimi i saj në gjoks. Ajo mund të ndihet si peshë, si shpim ose si shtrëngim. Mund të përhapet në drejtim të krahut të majtë ose të qafës. Por nganjëherë mund të lokalizohet edhe në zonën e stomakut. Paraqitet zakonisht mbas një aktiviteti fizik, kur dalim në ajër të ftohtë, pas një vakti të rëndë ose pas një gjendje të rëndë shpirtërore. Një tjetër veçori dalluese e anginës është fakti se kjo dhimbje lehtësohet gradualisht shpejtë, sapo ndërpritet aktiviteti fizik. Por nuk është e thënë që angina të ndihet me të gjitha këto veçori njëherazi. Ajo mund të shfaqet edhe vetëm me disa prej tyre. 

Dispnea. Ndryshe quhet vështirësi në frymëmarrje. Kjo simptomë vërehet në shumë sëmundje të zemrës dhe është kryesisht shenjë e insufiçencës së zemrës. Dispnea mund të bëhet e ndijshme gjatë një aktiviteti fizik të lehtë ose kur jemi të shtrirë në krevat. Por sapo ndalojmë aktivitetin ose kur ngrihemi nga krevati, ajo ndalon shumë shpejt.

Edemat e këmbëve. Ato janë fryrje të këmbëve për arsye të grumbullimit të ujit në to. Kjo është një shenjë e gjëndjeve të përparuara të sëmundjeve të zemrës dhe tregon edhe për insufiçencë të saj.

Rrahjet e gjoksit. Rrahjet e zemrës kur punon normalisht nuk janë të ndijshme. Ato mund të bëhen të ndijshme pas një aktiviteti fizik të rëndë, pas një çasti trondiës shpirtëror ose nga abuzimi i alkolit apo i duhanit. Në rastet kur ndjenja e rrahjes së gjoksit nuk lidhet me faktorët që lartpërmëndëm por shfaqet në çaste qetësie ose gjatë një aktiviteti normal fizik, atëherë duhet ti drejtohemi mjekut për të sqaruar nëse zemra ka ndnjë problem.

Sinkopi. Është rasti kur dikush humbet ndjenjat. Kjo mund të jetë një simptomë tipike për arsye aritmie por nga ana tjetër mund të ketë prejardhje nervore duke ndikuar përkohësisht zemrën. 

Kolla me gjak. Rrallë herë mund të paraqitet kolla me gjak. Ajo normalisht përbën një simptomë të gjendjeve të përparuara të sëmundjeve të zemrës, për arsye të kongjestionit të mushkrive. Kryesisht vërehet në stenozë mitrale.

Nuk është e thënë që këto shenja të lidhen gjithmonë me çrregullimet e zemrës. Ka edhe sëmundje të tjera jo kardiake të cilat mund t’i shkaktojnë ato. Prandaj, për t’u bërë diagnostikimi i saktë duhet patjetër të drejtohemi tek mjeku.

Kontakti

  • T centre:
  • Mobile T:

    +355696042790

    +306974324241

  • Email:

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.