Skip to main content
Kirurg Kardiovaskular
Shef i Departamentit të Kardiokirurgjisë
SPITALI HYGEIA TIRANE

Insufiçenca e valvulës mitrale

Valvula mitrale mundëson kalimin e gjakut nga atriumi i majtë në barkushen e majtë, pa lejuar kthimin e tij përsëri mbrapsh.

Insufiçenca e valvulës mitrale është gjëndja kur kjo valvul nuk arrin të mbyllet plotësisht, duke lejuar një pjesë të gjakut të kthehet sërish nga barkushja e majtë në atriumin e majtë (Fig. 1)

Fig.1

Shkaqet e insufiçencës mitrale

Shkaqet e insufiçencës mitrale janë të shumta dhe këtu përfshihen:

  • Prolapsi mitral. Është rasti kur fletët e valvulës mitrale dobësohen ose zgjaten kordat që lidhen me to. Duke mos u bërë puthitje e plotë gjatë mbylljes së valvulës, një pjesë e gjakut rikthehet prapa nëpërmjet hapësires së krijuar ( Fig. 2). Kjo lloj insufiçence është shumë e shpeshtë, por rallë herë zhvillohet aq sa të krijojë vështirësi. Madje, një pjesë e pacientëve as nuk e dinë që kanë prolaps. Nga tërësia e rasteve me një problem të tillë vetëm 10% e tyre nevojiten të bëjnë operacion.
Fig.2
  • Ruptura ose këputja e kordave të valvulës. Me kalimin e kohës nga sforcimi i tepërt dhe sidomos tek ata që kanë prolaps kordat e valvules mitrale mund të këputen (Fig .3) Kështu mund të krijojhet një insufiçencë akute (e menjëhershme) e cila shkakton vështirësi në frymëmarrje. Kjo gjëndje mund t’a bëjë të domosdoshëm operacion, madje në disa raste ndërhyrja duhet kryer urgjentisht.
Fig.3
  • Ethja reumatike. Ky është një komplikacion i infeksionit të streptokokut në gjëndrat e bajameve i cili ndikon me dy mënyra. 1- Mund të kalçifikojë me kalimin e viteve valvulën duke ja ngurtësuar fletët dhe duke i bërë rigide. 2- Mund të deformojë gjithë aparatin valvular sikurse dhe fletët me rezultat mosmbylljen e plotë të tyre.
  • Endokarditi. Infeksion i sipërfaqjes së brëndshme të zemrës i cili mund të prekë edhe valvulën mitrale duke sjellë çrregullime në funksionimin e saj.
  • Kardiomegalia (zmadhimi i zemrës). Zmadhimi apo deformimi i saj për arsye të sëmundjeve të ndryshme sjell dëmtime edhe në strukturën e valvulës mitrale duke shkaktuar ndryshime në funksionimin e saj. Në këtë rast kardiomegalia bëhet shkas për krijimin e insufiçencës së kësaj valvule (Fig. 4).
Fig.4

Deformimi i muskulaturës se zemrës (pas inkarktit te miokardit) shtrembëron edhe aparatin valvular. Kështu që fletët e valvulës nuk mbyllen plotësisht dhe nëpërmjet hapësirës së krijuar një pjesë e gjakut kthehet sërish në atrium. Pamja nga sipër e valvulës (Fig. 5) tregon hapësirën në qëndër e cila është më e madhe tek zemra e deformuar.

Fig.5
  • Infarkti i rëndë i miokardit është një arsye jo e rrallë e insufiçencës mitrale. Në këto raste për shkak të infarktit kemi nekrotizim të zonës në të cilën mbështeten kordat e valvulës. Kjo sjell rupturën e tyre dhe insufiçencën akute, e cila ka nevojë per operacion urgjent pasi kërcënohet jeta e të sëmurit.
  • Mosha e vjetër e cila vetvetiu dobëson indet e trupit në përgjthësi. Rrjedhimisht mund të shkaktojë edhe degradimin e indeve të valvulës mitrale (wear and tear).
  • Sëmundjet e lindura te zemrës të cilat përbëjnë arsye për insufiçencë mitrale.

Simptomat e insufiçencës mitrale

Simptomat në përgjithësi varen nga serioziteti i gjëndjes së insufiçencës, si dhe nga ritmi i zhvillimit të saj. Sa më e rëndë është insufiçenca ose sa më shpejt zhvillohet ajo, aq më të rënda edhe simptomat të cilat janë:

  • vështirësi në frymëmarrje kryesisht kur i sëmuri është në aktivitet, por edhe kur ai ndodhet i shtrirë
  • dobësi e përgjithshme gjatë aktivitetit fizik
  • marrje mëndsh
  • kollë nate ose kur i sëmuri është i shtrirë
  • edemë e gjymtyrëve të poshtëme
  • urinim i shpeshtë
  • takikardi të ndryshme
  • zhurmë në zemër

Insufiçenca mitrale zakonisht zhvillohet ngadalë dhe shpesh nuk jep ndonjë shenjë tek i semuri për vite me rradhë. Kjo ndodh sepse zemra për një periudhë të gjatë kohe mundohet ta kompesojë vetë problemin. Por ka raste kur kjo sëmundje zhvillohet në mënyrë të menjëhershme duke shkaktuar papritur vështirësi të theksuar në frymëmarrje.

Komplikacionet e insufiçencës së valvulës mitrale

Gjatë kohës që insufiçenca është e lehtë ajo kurrë nuk shkakton probleme për organizmin, por kur gradualisht ajo bëhet serioze atëherë sjell këto komplikacione.

Insufiçencë kardiake. Siç thamë më lartë për një kohë të gjatë zemra kompenson problemin e insufiçencës mitrale, duke punuar dhe duke u sforcuar më shumë. Kur mosfunksionimi i valvulës bëhet serioz, shkaktohen pasoja dhe nëse problemi nuk trajtohet, atëherë zemra “lodhet”, dobësohet, duke kaluar në insufiçencë. Në këtë rast i sëmuri ka shumë vështirësi në frymëmarrje dhe edema të gjymtyrëve të poshtëme.

Fibrilacioni atrial është një lloj aritmie ku zemra rreh në mënyrë të parregullt dhe krijon kushte për të formuar tromboza (mpiksje gjaku) në zemër. Trombi mund të shkëputet nga pika fillestare dhe gjatë zhvendosjes mund të bllokojë një arterie duke shkaktuar atje ishemi. Ishemia mund ndodhë në arteriet e kokës (ishemi celebrale) ose edhe në gjymtyrë. Të sëmurët me insufiçencë mitrale mund të kenë edhe lloje të tjera artmish, por më e shpeshta është fibrilacioni atrial.

Endokarditi është një infeksion i sipërfaqjes së brëndshme të zemrës dhe insufiçenca e valvulës mitrale lehtëson shumë zhvillimin e këtij infeksioni. Prandaj në çfarëdo ndërhyrje kirurgjikale apo dentare i sëmuri këshillohet që të marrë paraparkisht antibiotikë.

Hipertensioni pulmonar është në vetevete tensioni i lartë i arterieve të mushkrive. Ky komplikacion zhvillohet nëse sëmundja nuk është trajtuar fare ose është trajtuar pjesërisht. Hipertensioni pulmonar i patrajtuar mund ndikojë negativisht në funksionimin e anës së djathtë të zemrës, duke keqësuar akoma më shumë prognozën e të sëmurit.

Diagnoza e insufiçencës mitrale

Ekokardiograma është analiza më e thjeshtë dhe që vërteton praninë e insufiçencës mitrale. Por duhet thënë se analiza të tjera si elektrkardiograma, holteri, radiografia e mushkrive, testi i biçikletës apo kateterizimi, japin një informacion më të plotë mbi gjëndjen e të sëmurit.

Terapia e insufiçencës mitrale

Terapia varet nga fakti se sa e rëndë është gjëndja ose sa i shpejtë është përparimi i sëmundjes. Qëllimi kryesor i terapisë është përmirësimi i funksionimit të zemrës, minimalizimi i simptomave dhe parandalimi i komplikacioneve të insufiçencës mitrale siç u përmëndën me lartë.

Ndjekja dhe vërejtja e ecurisë. Kjo është e nevojshme për ata që kanë insufiçencë të lehtë dhe pa simptoma. Kontrollimi i herë-pas-hershëm i situatës është i domosdoshëm dhe përcaktohet nga mjeku sipas seriozitetit të gjëndjes.

Kompensimi i problemit nga vetë zemra i ”fsheh” shenjat e sëmundjes, paçka se valvula ka pësuar dëmtim të rëndësishëm. Por kur zemra nuk mundet më ta kompesojë insufiçencën dhe nëse ndërhyrja nuk kryhet në çastin e duhur, atëherë shkaktohen ndryshime të pariparueshme dhe opracioni është i pavlefshëm. Për këtë arsye ndjekja vazhdueshme e të sëmurit luan rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e kohës së përshtatshme për ndërhyrje kirurgjikale.

Medikamentet. Ato nuk mund të lehtësojnë simptomat nga çrregullimet e konstruksionit të valvulës, por nuk ndikojnë mbi të.

Operacioni. Është e vetmja mënyrë e trajtimit të insufiçencës së valvulës mitrale duke synuar riparimin ose zëvëndësimin e saj.

Klipet mitrale. Kjo është një metodë e re e cila përdoret kryesisht tek të sëmurët me shkallë shumë të lartë rreziku ndaj operacionit. Ndërhyrja bëhet me anestezi lokale dhe nëpërmjet venës së këmbës dërgohet me kateter të posatshëm një instrument i vogël si karficë i cili bashkon në qëndër fletët e valvulës (Fig. 6,7). Metoda në fjalë është ende në fazën eksperimentale dhe jo për zbatim të përgjithshëm, por për momentin rezultatet janë inkurajuese. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet edhe për mënyra të tjera të cilat synojnë riparimin e valvulës pa kryer operacion me narkozë të përgjithshme.

Fig.6
Fig.7

Trajtimi kirurgjikal i valvulës mitrale

Valvula mitrale mund të ketë nevojë të riparohet ose të zëvëndësohet dhe kjo varet nga lloji i dëmtimit të valvulës. Vlerësimi i saktë i llojit të dëmtimit bëhet kryesisht në operacion.

Zëvëndësimi i valvulës mitrale. Ky është trajtimi më i shpeshtë kirurgjikal për insufiçencën e valvulës mitrale. Operacioni kryhet gjithmonë me zemër të ndalur prandaj është i nevojshëm përdorimi makinës se qarkullimit ekstrakorporal të gjakut. Ndërhyrja synon heqjen e valvulës se dëmtuar dhe vendosjen e një valvule artificiale në vënd të saj.

Valvulat artificiale që përdoren jane dy llojesh: mekanike ose biologjike.

Valvulat mekanike përbëhen nga material metalik titaniumi (Fig. 8). Ato janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj kohës, por mbartin rezikun e trombozës së gjakut rreth valvulës. Për këtë arsye i sëmuri duhet të marrë më pas gjithë jetën mjekim me medikamente të cilat pengojnë mpiksjen e gjakut (antikoagulantë), por duke qënë njëkohësisht i kujdesshëm pasi ato mund të shkaktojnë hemoragji.

Fig.8

Valvulat biologjike (Fig. 9) përbëhen nga inde biologjike. Këto të fundit kanë jetëgjatësi më të vogël sesa ato metaliket, por i operuari nuk ka nevojë të trajtohet më pas vazhdimisht me antikoagulant, pasi nuk ekziston rreziku i trombozës së gjakut. Për çdo rast mjeku diskuton me të sëmurin dhe i shpjegon atij eprësitë apo rreziqet e secilës valvul.

Fig.9

Riparimi i valvulës. Është proçedura e rikonstruksionit të valvulës se deformuar duke e kthyer atë në një valvul me funksion normal pa insufiçencë (Fig. 10). Duhet theksuar se nga ana e mjekut i jepet gjithmonë përparësi mundësisë së riparimit të valvulës dhe jo zëvëndësimit e saj, pasi valvula origjinale (e riparuar) është më funksionale dhe më natyrale se çdo valvul artificiale. Gjithashtu pas riparimit të valvulës i operuari nuk ka rrezik për tromboza dhe as do të ketë nevojë të marrë në vazhdim antikoagulantë.

Fig.10

Teknikat e përdorura varen nga lloji i deformimit të fletëve të valvulës. Pas ekspozimit të valvules gjatë operacionit bëhet vlerësimi i difektit të saj dhe vendoset se cila teknikë do të ndiqet për t’a riparuar.

Riparimi do të ishte tajtimi më ideal për valvulen e dëmtuar mitral,e por në pjesën më të madhe të rasteve ai është i parealizueshëm, pasi valvulat janë kalçifikuar aq shumë sa kanë humbur përkulshmërinë. Kjo gjë e bën të pamundur rikonstruksionin e tyre dhe imponon zëvëndësimin e krejt valvulës.

Komplikacionet e operacionit

Ashtu si çdo operacion edhe zëvëndësimi i valvulës mitrale ka një përqindje të caktuar komplikacionesh serioze siç janë: aritmitë, hemorragjia, episodi cerebral, infeksionet e ndryshme, insufiçenca renale ose dhe vdekja. Por përqindja e tyre është e ulët dhe nuk kalon 5% të rasteve.

Janë disa faktorë të cilët rrisin mundësinë e komplikacioneve mbas një operacioni të tillë si psh: mosha e të sëmurit, seksi femër, sëmundjet kronike pulmonare, stenozat e arterieve periferike, statusi i rënduar neurologjik preoperativ, operacionet e mëparshme të zemrës, funksionimi preoperativ i veshkave, hipertensioni pulmonar, insufiçenca kardiake etj.

Njohuri rreth proçedurës operative

Pasi i sëmuri hyn në salle, vihet në narkozë të përgjithshme dhe kur gjithçka është gati, atëherë fillon operacioni me incision në sternum, ose në disa raste të veçanta me incision të vogël lateral nga ana e djathtë (Fig. 11).

Fig.11

Me hapjen e strernumit zbulohet zemra e cila vihet në komunikim me aparatin e qarkullimit ekstrakorporal të gjakut (Fig. 12), me ndihmën e të cilit ajo bashkë me mushkritë ndalojnë aktivitetin.

Fig.12

Në vazhdim hapet atriumi i majtë dhe kryhet sipas rastit riparimi i valvulës ose zëvëndësimi i saj. Më pas qepet atriumi dhe atëherë zemra me mushkritë vihen gradualisht në punë, derisa të bëhet e mundur shkëputja e të sëmurit nga aparati i qarkullimit ekstrakorporal të gjakut. Në fund të proçedurës sternumi ose incisioni lateral mbyllet përsëri dhe qepet lëkura. Pas mbarimit të operaciont i sëmuri transferohet në reanimacion, ku do të zgjohet gradualisht dhe do të ekstubohet. Do të qëndrojë atje një ditë ose më shumë nëse nevojitet dhe në vazhdim do të transferohet në pavion, ku do të jetë nën përkujdesje rreth 5 ditë (ose më tepër nganjëherë sipas nevojës).

Rimëkëmbja në shtëpi pas operacionit

Periudha e rimëkëmbjes së plotë të të sëmurit zgjat pothuajse 2 muaj për arsye të ndryshme. I operuari pas daljes nga spitali mund të ketë dhimbje për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, por me kalimin e ditëve ato gradualisht do të rrallohen derisa të ndalojnë. Për të lehtësuar gjëndjen ai mund të përdorë qetësues dhimbjesh sipas nevojës. Pas operacionit sternumi do rreth 1-2 muaj që të ngjitet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe i operuari duhet të shmangë ngritjen e peshave, sforcimin, ngarjen e makinës. Ai mund të fillojë aktivitetin profesional pas 6 javësh ose dhe më herët nëse ndihet mire apo nëse nuk do t’i duhet ushtrim i rëndë fizik. Është e rëndësishme të përmendet fakti se i operuari duhet të ndiqet nga kardiologu dhe të ndjekë në mënyrë të përpiktë udhëzimet e tij. Pas operacionit është i nevojshëm kontrolli periodik i zemrës.

Kontakti

  • T centre:
  • Mobile T:

    +355696042790

    +306974324241

  • Email:

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.