Aneurizma e aortës torakale
Aorta është arteria më e madhe dhe kryesore në trupin e njeriut. Ajo fillon nga zemra dhe vazhdon deri në pjesën e poshtme të barkut. Aorta duke dhënë degë të ndryshme arteriale gjatë gjithë gjatësisë së saj realizon furnizimin me gjak të të gjithë organizmit (Fig. 1). Aorta torakale ndahet në tre pjesë (Fig. 2): aorta ascende (ngjitëse), harku aortik dhe aorta descende ( zbritëse).

Aneurizmat e aortës janë rastet kur muret e aortës dobësohen dhe me kalimin e kohës ajo gradualisht zgjerohet (Fig. 3). Pergjithësisht aneurizmat abdominale (të pjesës së barkut) trajtohen nga kirurgjia vaskulare.

Shkaqet e aneurizmës torakale
Arsyet e vërteta të formimit të aneurizmave nuk dihen dhe asgjë nuk është vërtetuar por është e ditur se disa faktorë kontribuojnë në zhvillimin e tyre.
- Skleroza arteriale. Kur pllaka sklerotike zhvillohet në murin e aortës ai bëhet më pak elastik dhe kështu presioni i gjakut e dobëson atë. Duhet të përmendim faktin se faktorët predispozues të sklerozës arteriale predispozojnë formimin dhe zhvillimin e aneurizmave. Këto faktorë janë: pirja e duhanit, hipertensioni, hiperkolesterolemia, diabeti, mosha mbi 65 vjet, predispozicioni familjar.
- Sëmundje te indeve lidhore. Indi lidhor ndodhet kudo në organizmin tonë dhe është ai që lidh indet ose strukturat e ndryshme të tij. Njëkohësisht i bën ato rezistente dhe elastike. Ata që janë me sindrom Marfan për arsye të një çrregullimi gjenetik kanë dobësim të indit lidhor të mureve të aortës njëkohësisht. Prandaj këta persona janë shumë të predispozuar për aneurizma të aortës madje edhe në moshë të re. Përveç Sindromit Marfan ka edhe sindroma të tjerë që krijojnë të njëjtin problem si psh: sindromi Ehlers-Danlos dhe sindromi Loeys-Dietz.
- Sëmundjet e valvulës aortale. Në rastet e stenozës aortale për arsye të çrregullimit në rrjedhjen e gjakut muri i aortës dëmtohet ( aortic jet lesion) dhe dobësohet, me rezultat zhvillimin e aneurizmës. Kjo ndodh kryesisht në se valvuala aortale ka dy fletë ( bikuspidale ) dhe jo tre siç është normale.
- Sëmundjet infektive si: sifilizi dhe salmonela.
- Trauma e aortës.
- Arteriti Takayasu.
Simptomat e aneurizmës torakale
Aneurizmat torakale zakonisht zmadhohen shumë ngadalë dhe kështu i sëmuri nuk ka shenja, madje në shumicën e rasteve nuk e di që ka aneurizëm. Ecuria e aneurizmës nuk është e parashikueshme, Ka raste që ndalon së zmadhuari, ka raste që zmadhohet më shpejtë ose më ngadalë dhe në disa raste mund të cahet dhe atëherë vihet në rrezik jeta e tij.
Kur aneurizma zmadhohet shenjat që mund të japë janë:
- dhimbje në gjoks
- dhimbje në shpinë
- ngjirje zëri ose disfoni të ndryshme
- kollë
- vështirësi në frymëmarrje
- Komplikacionet e aneurizmës
Komplikacionet e aneurizmës
Komplikacionet e aneurizmave janë të rrezikshme dhe mund të kërcënojnë jetën e të sëmurit. Këto janë:
- Ruptura (çarja) e aneurizmës së aortës (Fig. 4). Sa më e madhe është aneurizma aq më e madhe është mundësia e rupturës së saj. Ky është dhe komplikacioni më serioz, ku shumica e të sëmurëve për arsye të hemorragjisë së madhe mund të humbin jetën shumë shpejtë, pa arritur t’i jepet ndihma mjekësore e duhur.

- Diseksioni i aneurizmës torakale. Është gjithashtu një komplikacion shumë i rëndë. Në këtë rast ndodh çarja e shtresës së brendëshme të murit të aortës (Fig. 5). Këta të sëmurë duhet të operohen urgjentisht sepse për çdo orë që kalon mundësia e vdekjes së tyre rritet 1%.

- Tromboembilizmi. Në sipërfaqen e brendshme të murit të aortës aneurismatike krijohen pllaka me përbërje kalçiumi dhe kolesteroli të cilat thyhen lehtë dhe mbi të cilat krijohen edhe trombe. Nga kjo pllakë mund të shkëputet një fragment i cili mund te bllokojë një arterie tjetër duke krijuar probleme ishemike mbase dhe të rënda.
- Ishemitë e ndryshme. Në këto raste dëmtimi i aortës mund të shkaktojë bllokimin e rrjedhjes së gjakut në degë të ndryshme arteriale të saj gjë që rezulton në isheminë e pjesëve të ndryshme të organizmit. Më të rëndësishmet janë ishemia cerebrale, ishemia e veshkave, ishemia e zemrës ose e gjymtyrëve. Ishemia e zemrës mund të sjellë infarktin e saj, ischemia cerebrale mund të sjellë paraliza të ndryshme, ischemia e veshkave sjellë insufiçencë renale akute dhe ajo e gjymtyrëve mund të sjellë paralizë deri dhe nekrozën e tyre.
Diagnoza e aneurizmës torakale
Radiografia e mushkërive (Fig. 6). është analiza më e thjeshtë që mund të hedhë dyshimin e parë të aneurizmës torakale. Shpesh herë aneurizmat konstatohen rastësisht analiza që bëjnë njerëzit për arsye të tjera.

Ekokardiograma mund të konstatojë gjithashtu një aneurizëm.
Skaneri (Fig. 7) rezonanca magnetike (Fig. 8)dhe aortografia janë metodat më të sakta që japin informacionin më të plotë dhe më të hollësishëm.

Trajtimi i aneurizmës torakale
Synimi i terapisë së aneurizmave është evitimi i komplikacioneve që permendëm më lartë. Përgjithësisht ekzistojnë dy opsione: kirurgjikal dhe konservator. Vendimi për njërin apo për tjetrin opsion varet nga dimensioni i aneurizmës, nga ritmi i zmadhimit me kalimin e kohës dhe nga lokalizimi saj.
Trajtimi konservator. Nëse dimensionet e aneurizmës nuk janë të mëdha atëherë duhen marrë medikamente që stabilizojnë tensionin e gjakut, rrahjet e zemrës dhe uljen e kolesterolit. Nga ana tjetër duhet të bëhet kontroll me ekokardiogramë dhe scaner cdo vit ose cdo 6 muaj sipas nevojës.
Trajtimi kirurgjikal:
Operacioni. Operacioni ka si qëllim zëvendësimin e pjesës aneurizmatike të aortës në se dimensioni i saj është 5-6 cm ose më shumë. Pra nëse aneurizma është në aortën ascendente atëherë zëvendësohet ajo me një tub sintetik. (Fig. 9).

Nëse aneurizma është në harkun e aortës atëherë kjo pjesë e saj zëvendësohet me një tub sintetik (Fig. 10).

Nëse aneurizma përfshin aortën descende atëherë bëhet zëvendësimi i saj me tub sintetik si në rastet e mësipërme. (Fig 11 A).
Angioplastika me stent. Është një mënyrë tjetër alternative e trajtimit. Përdoret vetëm nëse aneurizma lokalizohet në aortën zbritëse torakale (Fig. 11 B).

Nëpërmjet kësaj metode, me anestezi lokale nga arteria e këmbës futet një tub i cili ndalon zmadhimin e mëtejshëm të aortës në mbi 90% të rasteve me rezultate shumë të mira. E mira e këtij operacioni është se i sëmuri mobilizohet shumë shpejtë pas ndërhyrjes, nuk ka dhimbje, ka më pak komplikacione se operacioni dhe organizmi e përballon më lehtë këtë proçedurë.
Përsa i përket trajtimit kirurgjikal siç thamë më lartë ai varet nga lloji i aneurizmës, pra nga lokalizimi i saj. Ndonjëherë aneurizmat përfshijnë më shumë se një pjesë të aortës dhe atëherë operacioni duhet përshtatur në mënyrë që të zëvendësohet gjithë aorta e dëmtuar. Më poshtë përshembull shihet zëvendësimi i aortes ascende bashkë me harkun e saj (Fig. 12).

Rehabilitimi pas operacionit në shtëpi.
Është e rëndësishme të themi se periudha e rehabilitimit të plotë të sëmurit zgjat pothuajse 2 muaj për arsye të ndryshme në varësi të llojit të aneurizmës mund të zgjasë edhe më shumë. I operuari pas daljes nga spitali mund të ketë dhimbje për arsye të operacionit, gjë që me kalimin e ditëve ato do të rrallohen gradualisht derisa të ndalojnë plotësisht. Gjatë kësaj periudhe mund të përdorë qetësues dhimbjesh sipas nevojës. Sternumi pas opracionit nevojitet 1-2 muaj që të ngjitet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe i operuari duhet të evitojë ngritjen e peshave, ngarjen e makinës. I operuari mund të fillojë aktivitetin profesional pas 6 javësh ose dhe më vonë në se nevojitet kur ndihet mirë dhe nëse nuk i nevojitet ushtrim i rëndë fizik në punë. Është e rëndësishme të përmendet fakti se i operuari duhet të ndiqet nga kardiologu në mënyrë korrekte sipas udhëzimeve të tij sepse pas operacionit është e nevojshme ndjekja periodike me skaner. Ndjekja me skaner është e rëndësishme sepse i operuari mund të shfaqë aneurizëm në një pjesë tjetër të aortës dhe në këtë mënyrë i paraprin komplikacioneve të mundshme të saj.
Kontakti
-
Tel:
-
T centre:
-
Mobile T:
+355696042790
+306974324241
-
Email:
Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.