Skip to main content
Kirurg Kardiovaskular
Shef i Departamentit të Kardiokirurgjisë
SPITALI HYGEIA TIRANE

Stenoza e valvulës aortale

Stenoza e valvulës se aortës përbën në vetevete proçesin pathologjik të ngushtimit të valvulës. Kjo ndodh nga kalçifikimi valvulës për arsye të ndryshme. Ky ngushtim parandalon valvulën të hapet plotësisht, duke penguar rrjedhjen e lirë të gjakut nga zemra në aortë dhe në vazhdim në gjithë trupin (Fig 1).

Fig.1

Kur rrjedha e gjakut pengohet prej ngushtimit të kësaj valvule, atëherë muskujt e zemrës duhet të punojnë më shumë për të pompuar gjakun, që të shpërndahet në organizëm. Me kalimin e kohës këta muskuj lodhen dhe dobësohen nga mbingarkesa. Gradualisht kufizohet sasia e gjakut që mund të pompojë zemra, duke krijuar simptoma të ndryshme.

Shkaqet e stenozës aortale

Ka disa arsye që shfaqet stenoza e valvulës aortale.

  • Difektetet e lindura të zemrës (Kongjenitale). Valvula aortale përbëhet nga tre fletë (kuspe) të cilat hapen dhe mbyllen vazhdimish. Roli i tyre është që të lejojnë rrjedhjen e gjakut nga zemra në aortë por njëkohësisht të pengojë kthimin mbrapa nga aorta në zemër. Pra valvula normale është trekuspidale. Disa fëmijë janë të lindur me valvul aortale jo me tre fletë por me dy (bikuspidale) ose me një të vetme (unikuspidale) Fig. 2.
Fig.2

Ky lloj deformimi mund të mos shkaktojë probleme deri në moshë të rritur, derisa valvula të fillojë të ngushtohet shumë dhe atëherë mund të ketë nevojë të riparohet ose te zëvendësohet. Ata që kanë valvul unikuspidale ose bikuspidale, duhet të ndiqen rregullisht nga kardiologu për të parë ecurinë saj. Ecuria e valvulës bikuspidale ose unikuspidale nuk mund të parashikohet dhe nuk ka ndonjë mënyrë që të parandalohet. Ka edhe raste, ku njerëzit mund të kalojnë gjithë jetën pa patur problem, por kjo ndodh rrallë.

  • Kalçifikimi i valvulës aortale. Me kalimin e moshës valvula e zemrës mund të grumbullojë depozita të kalçiumit. Kalçiumi është një mineral që gjëndet normalisht në gjak dhe depozitimi tij mund të mos shkaktojë probleme. Por në disa njerëz dhe veçanërisht tek ata të cilët kanë valvul bikuspidale, kalçiumi i ngurtëson fletët e saj duke shkaktuar ngushtimin. Kjo kryesisht ndodh në mosha mbi 65 vjeç dhe simptomat shpesh nuk paraqitet deri në moshën 70 vjeç.
  • Ethja reumatike është një komplikim i infeksionit të streptokokut në gjëndrat e bajameve. Ajo mund të prekë edhe valvulën aortale, por nuk prëjashtohet mundësia të prekë edhe valvula të tjera te zemrës si psh: valvulën mitrale. Në këto raste ndodh depozitim i kalçiumit në fletët e valvulës, duke çuar në ngushtimin e saj me kalimin e kohës.

Duhet përmëndur gjithashtu, se faktorë të tjerë reziku të cilët mund të rrisin mundësinë e shfaqjes së stenozës aortale janë: kolesteroli i rritur në gjak, tensioni i gjakut i pa trajtuar me medikamente apo me dietë, sëmundja arterosklerotike koronare, diabeti dhe pirja e duhanit.

Simptomat e stenozës aortale

Ecuria e stenozës së valvulës është shumë e ngadaltë dhe mund kalojnë shumë vite deri sa situata të bëhet serioze. I sëmuri për shumë kohë nuk ndjen shqetësime, pasi zemra mundohet të kompensojë problemin duke punuar më tepër se sa normalisht. Kështu dalngadalë ajo bëhet hipertrofike dhe kur është ”e lodhur” nuk arrin më të përmbushë kërkesat e organizmit me gjak. Atëherë nevojitet operacioni.

Simptomat e stenozës aortale janë:

  • dhimbja e gjoksit
  • sinkopi ose humbja e ndjenjave
  • zhurmë zemre
  • insufiçenca kardiake me dispne (vështirësia në frymëmarrje)
  • aritmitë e ndryshme (madje deri edhe ndalimi i zemrës)

Simptomat mund të paraqiten në fazën e kompensimit ose edhe në atë të moskompensimit. Që nga çasti kur simptomat paraqiten, atehere ka ardhur koha për ndërhyrje kirurgjikale, pasi rreziku i vdekjes është i lartë për ata të cilët nuk operohen.

Statistikisht vetëm 50% e atyre që u është shfaqur dhimbja në gjoks jetojnë 5 vjet pa u operuar. Vetëm 50% e atyre që bëjnë sinkop jetojnë 3 vjet pa u operuar. Vetem 50% e atyre që paraqesin dispne jetojnë 2 vjet pa u operuar.

Diagnoza e stenozës aortale përcaktohet me ekokardiografi. Por mjeku sipas nevojës mund të bëjë edhe analiza të tjera, për të patur një gjykim të plotë mbi gjëndjen e zemrës.

Trajtimi i stenozës aortale

Nëse stenoza aortale është e lehtë ose mesatare, atëherë i sëmuri ndiqet nga mjeku duke kryer ekokardiografi çdo 6 muaj ose 1 vit sipas nevojës. Në qoftë se stenoza është bërë serioze, pavarësisht nëse ka apo s’ka simptoma, i sëmuri duhet operuar. Sapo fillojnë simptomat i sëmuri duhet të planifikojë operacionin.

Kur stenoza e valvulës së aortës është në gjëndje serioze, i vetmi trajtim është ndërhyrja kirurgjikale. Medikamentet nuk luajnë asnjë rol në këto raste, por sidoqoftë mund të lehtësojnë disa simptoma derisa i sëmuri të operohet. Ka disa mënyra operimi, të cilat duhen përshtatur në varësi të veçorive të secilit rast.

Zëvëndësimi kirurgjikal i valvulës aortale. Ky është trajtimi kryesor kirurgjikal për stenozën e valvulës aortale. Ndërhyrja kryhet gjithmonë me zemër të ndaluar, prandaj për të vazhduar qarkullimin e gjakut është i nevojshëm përdorimi i aparatit ekstrakorporal.

Operacioni synon heqjen e valvulës së dëmtuar dhe vënien e valvulës artificiale në vend të saj (Fig. 4). Valvulat artificiale që përdoren jane dy llojesh, mekanike ose biologjike.

Fig.4

Valvulat mekanike (Fig. 5) përbëhen nga material metalik titaniumi. Ato janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj kohës, por mbartin rezikun e trombozës së gjakut rreth valvulës. Për këtë arsye i sëmuri duhet të marrë më pas gjithë jetën mjekim me medikamente, të cilat pengojnë mpiksjen e gjakut (antikoagulantë) por duke qënë njëkohësisht i kujdesshëm, pasi ato mund të shkaktojnë hemoragji.

Fig.5

Valvulat biologjike (Fig. 6) përbëhen nga inde biologjike. Këto të fundit kanë jetgjatësi më të vogël sesa ato metaliket, por i operuari nuk ka nevojë tëtrajtohet më pas me antikoagulant pasi nuk ekziston rreziku i trombozës së gjakut. Për çdo rast mjeku diskuton me të sëmurin dhe i shpjegon atij eprësitë apo rreziqet e secilës valvul.

Fig.6

Implantimi i valvulës artificiale (Fig. 7) është një metodë e kohëve të fundit, e cila përdoret vetëm në rastet kur i semuri nuk mundet të përballojë operacionin për shkak të gjëndjes së tij të rëndë. Ky implantim bëhet kryesisht nëpërmjet arteries së këmbës me anestezi lokale dhe proçedura është me pak invazive, pranadaj i sëmuri rimëkëmbet shumë shpejt mbas 2-3 ditesh. Përsa i përket rezultateve afatgjata të kësaj metode ende nuk ekziston një opinion i sigurt.

Fig.7

Valvuloplastika kirurgjikale ose me tullumbace. Këto janë dy metoda që për arsye të ndryshme zbatohen rallë. Përdoren kryesisht tek fëmijët e vegjël të cilët nuk kanë arritur në moshë për operim. Përgjithësisht këto metoda nuk përbëjnë zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Komplikacionet e operacionit.

Ashtu si çdo operacion edhe zëvëndësimi i valvulës aortale ka një përqindje të caktuar komplikacionesh serioze siç janë: aritmitë, hemorragjia, episodi cerebral, infeksionet e ndryshme, insufiçenca renale ose dhe vdekja. Përqindja e tyre është e ulët dhe nuk kalon 5% të rasteve.

Janë disa faktorë të cilët rrisin mundësinë e komplikacioneve mbas një operacioni të tillë si psh: mosha e të sëmurit, seksi femër, sëmundjet kronike pulmonare, stenozat e arterieve periferike, statusi i rënduar neurologjik preoperativ, operacionet e mëparshme të zemrës, funksionimi preoperativ i veshkave, insufiçenca kardiake etj.

Njohuri rreth proçedurës operative.

Pasi i sëmuri hyn në salle vihet në narkozë të përgjithshme dhe kur gjithçka është gati, atëherë fillon operacioni me incision në sternum (Fig. 8).

Fig.8

Me hapjen e strernumit zbulohet zemra, e cila vihet në komunikim me aparatin e qarkullimit ekstrakorporal të gjakut (Fig. 9), me ndihmën e të cilit ajo bashkë me mushkritë ndalojnë aktivitetin.

Fig.9

Në vazhdim hapet aorta. Hiqet valvula e dëmtuar dhe në vendin e saj vendoset valvula artificiale. Më pas qepet aorta dhe atëherë zemra me mushkritë vihen gradualisht në punë, derisa të bëhet e mundur shkëputja e të sëmurit nga aparati i qarkullimit ekstrakorporal të gjakut. Në fund të proçedurës sternumi mbyllet përsëri dhe qepet lëkura. Pas mbarimit të operaciont i sëmuri transferohet në reanimacion, ku do të zgjohet gradualisht dhe do të ekstubohet. Do të qëndrojë atje një ditë ose më shumë nëse nevojitet dhe në vazhdim do të transferohet në pavion, ku do të jetë nën përkujdesje rreth 5 ditë (ose më tepër nganjëherë sipas nevojës).

Rimëkëmbja në shtëpi pas operacionit.

Periudha e rimëkëmbjes së plotë të të sëmurit zgjat pothuajse 2 muaj për arsye të ndryshme. I operuari, pas daljes nga spitali mund të ketë dhimbje për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, por me kalimin e ditëve ato gradualisht do të rrallohen derisa të ndalojnë. Për të lehtësuar gjëndjen ai mund të përdorë qetësues dhimbjesh sipas nevojës. Pas operacionit sternumi do rreth 1-2 muaj që të ngjitet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe i operuari duhet të shmangë ngritjen e peshave, sforcimin, ngarjen e makinës. Ai mund të fillojë aktivitetin profesional pas 6 javësh, ose dhe më herët nëse ndihet mire, apo nëse nuk do t’i duhet ushtrim i rëndë fizik. Është e rëndësishme të përmendet fakti, se i operuari duhet të ndiqet nga kardiologu dhe të ndjekë në mënyrë të përpiktë udhëzimet e tij. Pas operacionit është i nevojshëm kontrolli periodik i zemrës.

Kontakti

  • T centre:
  • Mobile T:

    +355696042790

    +306974324241

  • Email:

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

    Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.