Stenoza e valvulës mitrale
Valvula mitrale mundëson kalimin e gjakut nga atriumi i majtë në barkushen e majtë pa lejuar kthimin e tij përsëri prapa.
Stenoza e valvulës mitrale është gjëndja kur kjo valvul është ngushtuar dhe nuk lejon rrjedhjen e lirshme të gjakut (Fig. 1). Si rezultat i stenozës i sëmuri ndjen lodhje të përgjithshme dhe vështirësi në frymëmarrje, sidomos gjatë aktivitetit fizik.

Shkaqet e stenozës mitrale.
Stenoza mitrale mund të shkaktohet për arsye të ndryshme.
- Ethja reumatike është një komplikacion i infeksionit të streptokokut në gjëndrat e bajameve. Ky është shkaku më i zakonshëm i stenozës së valvulës mitrale. Ethja reumatike mund t’a dëmtojë këtë valvul në dy mënyra: duke trashur dhe ngurtësuar fletët e saj ose duke i bërë ato të ngjiten me njëra-tjetrën. Në të dy rastet rezultati përfundimtar është mos-hapja e plotë e valvulës dhe pengesa e rrjedhjes së gjakut nëpërmjet saj.
- Difektet e lindura (kongjenitale). Në raste të rralla foshnjet lindin me valvul mitrale të ngushtuar ose me difekte të cilat çojnë në stenozë të kësaj valvule me kalimin e viteve.
- Shkaqe të tjera. Me kalimin e moshës mund të ndodhë kalçifikimi i valvules mitrale me pasojë stenozën. Ngushtimi funksional i saj mund të vijë si rezultat i miksomave, i trombozave ose i masave të ndryshme të cilat bllokojnë rrjedhën e gjakut përmjet valvulës edhe pse ajo nuk ka problem në vetvete. Rrezatimi në gjoks apo disa medikamente (ergotaminat për migrenën) mund të ndikojnë nganjëherë në krijimin stenozës mitrale.
Simptomat e stenozës mitrale.
Ecuria e stenozës është e ngadalshme dhe mjekësia nuk ka ende ndonjë mënyrë për parandalimin e saj. Për një periudhë të gjatë sa kohë stenoza është e lehtë, i sëmuri nuk ndjen shqetësime. Por kur ajo bëhet serioze simptomat janë:
- Dobësia e përgjithshme. Kjo ndodh për faktin se zemra nuk furnizon mjafueshëm me gjak organizmin, pasi rrjedhja e tij pengohet nga ngushtimi i valvulës mitrale.
- Vështirësia në frymëmarrje është një tjetër simptomë që krijohet për shkak të grumbullimit të gjakut në mushkri meqë valvula pengon rrjedhjen e tij.
- Kolla me gjak e cila shfaqet rallë, vetëm kur gjëndja është mjaft e rënduar.
Diagnoza e stenozës mitrale mund të vërtetohet me ekokardiogram, por për informacion më të plotë rreth gjëndjes së përgjithshme të zemrës e të mushkrive mund jenë të nevojshme edhe analiza të tjera si: elektrokardiograma, grafia e gjoksit, holteri i ritmit dhe kateterizimi i zemrës.
Komlikacionet e stenozës mitrale.
Insufiçenca kardiake është gjëndja kur zemra nuk mundet t’a dërgojë gjakun aq sa duhet në aorte dhe në gjithë organizmin. Meqë valvula pengon rrjedhën, presioni i gjakut në mushkri rritet dhe ky quhet konxhestion pulmonar. Me kalimin e kohës kjo gjëndje fillon të ndikojë në funksionimin e barkushes së djathtë. Kur barkushja e djathtë nuk punon siç duhet, atëherë krijohen edema të këmbëve.
Zmadhimi i zemrës ndodh pasi gjaku nuk qarkullon lirshëm brënda saj. Prandaj, me kalimin e kohës ajo sforcohet dhe zgjerohet duke u përpjekur të kompensojë problemin e krijuar (Fig. 2).

Fibrilacioni atrial është një aritmi shumë e shpeshtë që vjen nga sforcimi i zemrës për shkak të stenozës mitrale. Kjo aritmi lehtëson mpiksjen e gjakut duke krijuar trombe.
Trombozat ndodhin për shkak të fibrilacionit atrial i cili nuk është trajtuar mjekësisht. Trombet mund të jenë tepër të rrezikshëm për jetën e të sëmurëve.
Edema pulmonare është një komplikacion akut që vë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën. Mushkritë mbushen me ujë (nga konxhestioni që përmëndëm më lartë) dhe i sëmuri vështirësohet të marrë frymë, aq sa shpesh nevojitet të intubohet. Kjo përbën një urgjencë mjekësore (Fig. 3).

Trajtimi i stenozës mitrale
Trajtimi i sëmundjes së stenozës mitrale përfshin atë konservator dhe atë intervencional.
- Trajtimi konservator përbën në vetevete dhënjen e medikamenteve. Medikamentet nuk munden t’a parandalojnë apo t’a shërojnë stenozën mitrale. Thjesht mundohen të lehtësojnë simptomat dhe të trajtojnë fibrilacionin atrial ose lloje të ndryshme aritmie. Medikamentet nuk mund të japin një zgjidhje të përhershme të problemit, nëse nuk bëhet ndërhyrja në valvul për trajtimin e stenozës.
- Trajtimi intervencional përbëhet nga zëvëndësimi i valvulës në mënyrë kirurgjkale ose hapja e saj me ballon nëpërmjet një kateteri nga venat e këmbës. Proçedura e riparimit të valvulës ka si synim hapjen e pjesës së ngushtuar nëpërmjet një balloni. Por kjo mënyrë nuk mund të përdoret tek gjitha rastet pasi pengohet nga shumë fakorë të gjëndjes të të sëmurit. Rrallë herë kushtet e lejojnë zbatimin e saj (Fig. 4).

Operacioni i zëvëndësimit të valvulës mitrale është mënyra me rezultative e trajtimit të sëmundjes. Ndërhyrja kryhet gjithmonë me zemër të ndalur, prandaj është i nevojshëm përdorimi i aparatit të qarkullimit ekstrakorporal të gjakut.
Operacioni synon heqjen e valvulës se dëmtuar dhe vendosjen e një valvule artificiale në vënd të saj (Fig. 5). Valvulat artificiale që përdoren jane dy llojesh, mekanike ose biologjike.

Valvulat mekanike (Fig. 6) përbëhen nga material metalik titaniumi. Ato janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj kohës, por mbartin rezikun e trombozës së gjakut rreth valvulës. Për këtë arsye i sëmuri duhet të marrë gjithë jetën mjekim me medikamente, të cilat pengojnë mpiksjen e gjakut (antikoagulantë), por duke qënë njëkohësisht i kujdesshëm pasi ato mund të shkaktojnë hemoragji.

Valvulat biologjike (Fig. 7) përbëhen nga inde biologjike. Këto të fundit kanë jetgjatësi më të vogël sesa ato metaliket, por i operuari nuk ka nevojë trajtohet vazhdimisht më pas me antikoagulant pasi nuk ekziston rreziku i trombozës së gjakut. Për çdo rast mjeku diskuton me të sëmurin dhe i shpjegon atij eprësitë apo rreziqet e secilës valvul.

Komplikacionet e operacionit
Ashtu si çdo operacion edhe zëvëndësimi i valvulës aortale ka një përqindje të caktuar komplikacionesh serioze siç janë: aritmitë, hemorragjia, episodi cerebral, infeksionet e ndryshme, insufiçenca renale ose dhe vdekja. Përqindja e tyre është e ulët dhe nuk kalon 4% të rasteve.
Janë disa faktorë të cilët rrisin mundësinë e komplikacioneve mbas një operacioni të tillë si psh: mosha e të sëmurit, sëmundjet kronike pulmonare, stenozat e arterieve periferike, statusi i rënduar neurologjik preoperativ, operacionet e mëparshme të zemrës, funksionimi preoperativ i veshkave, insufiçenca kardiake apo hipertensioni pulmonar.
Njohuri rreth proçedurës operative
Pasi i sëmuri hyn në salle vihet në narkozë të përgjithshme dhe kur gjithçka është gati, atëherë fillon operacioni me incision në sternum (Fig. 8).
Me hapjen e strernumit zbulohet zemra, e cila vihet në komunikim me aparatin e qarkullimit ekstrakorporal të gjakut (Fig. 9), me ndihmën e të cilit ajo bashkë me mushkritë ndalojnë aktivitetin.
Në vazhdim hapet atriumi i majtë. Hiqet valvula e dëmtuar dhe në vendin e saj vendoset valvula artificiale. Më pas qepet atriumi dhe atëherë zemra me mushkritë vihen gradualisht në punë, derisa të bëhet e mundur shkëputja e të sëmurit nga aparati i qarkullimit ekstrakorporal të gjakut. Në fund të proçedures sternumi mbyllet përsëri dhe qepet lëkura. Pas mbarimit të operaciont i sëmuri transferohet në reanimacion, ku do të zgjohet gradualisht dhe do të ekstubohet. Do të qëndrojë atje një ditë ose më shumë nëse nevojitet dhe në vazhdim do të transferohet në pavion, ku do të jetë nën përkujdesje rreth 5 ditë (ose më tepër nganjëherë sipas nevojës).
Rimëkëmbja në shtëpi pas operacionit
Periudha e rimëkëmbjes së plotë e të sëmurit zgjat pothuajse 2 muaj për arsye të ndryshme. I operuari pas daljes nga spitali mund të ketë dhimbje për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, por me kalimin e ditëve ato gradualisht do të rrallohen derisa të ndalojnë. Për të lehtësuar gjëndjen ai mund të përdorë qetësues dhimbjesh sipas nevojës. Pas operacionit sternumi do rreth 1-2 muaj, që të ngjitet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe i operuari duhet të shmangë ngritjen e peshave, sforcimin, ngarjen e makinës. Ai mund të fillojë aktivitetin profesional pas 6 javësh ose dhe më herët, nëse ndihet mire apo nëse nuk do t’i duhet ushtrim i rëndë fizik. Është e rëndësishme të përmendet fakti, se i operuari duhet të ndiqet nga kardiologu dhe të ndjekë në mënyrë të përpiktë udhëzimet e tij. Pas operacionit është i nevojshëm kontrolli periodik i zemrës.
Kontakti
-
Tel:
-
T centre:
-
Mobile T:
+355696042790
+306974324241
-
Email:
Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.