Insufiçenca e valvulës aortale
Valvula e aortës është një valvul, nëpërmjet së cilës mundësohet kalimi i gjakut nga zemra në aortë pa lejuar kthimin e tij përsëri prapa.
Insufiçenca e valvulës aortale është gjëndja, kur valvula nuk arrin të mbyllet plotësisht, duke lejuar një pjesë të gjakut të kthehet sërish në zemër (Fig. 1). Si rrjedhojë pakësohet sasia e gjakut që duhet të shpërndahet në organizëm dhe i sëmuri mund të ndjejë lodhje trupore ose vështirësi në frymëmarrje. Kjo insufiçencë mund të zhvillohet ngadalë me kalimin e kohës por edhe në formë të menjëhershme. Kur gjëndja e saj bëhet serioze, atëherë i vetmi trajtim mjekësor është ai kirurgjikal.

Shkaqet e insufiçencës aortale
Përgjithësisht duhet thënë, se çdo lloj sëmundje e cila dëmton valvulën aortale, mund të sjellë dhe insufiçencë të saj. Shkaqet mund të jenë:
- Difektet e lindura (kongjenetale) të valvulës si psh: valvula bikuspidale ose unikuspidale
- Degjeneracioni i valvulës për arsye të moshës.
- Endocarditi i cili është infeksion në zemër.
- Ethja reumatike që është një komplikacion i infeksionit të streptokokut në gjëndrat e bajameve.
- Sëmundje të ndryshme që prekin aortën në zonën pranë valvulës aortale si: aneurismat e aortës, sindromi Marfan, sifilizi (sëmundje ngjitëse seksuale), spondiliti deformues etj.
- Trauma është një shkak i rrallë.
Duhet përmëndur fakti, se tensioni i lartë i gjakut i patrajtuar përbën një arsye e cila mund ta rëndojë insufiçencën aortale.
Simptomat e insufiçencës aortale
Në rastet kur insufiçenca aortale zhvillohet gradualisht, zemra arrin ta kompesojë këtë problem për një kohë të gjatë. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe nuk ndihen shenjat e saj. Vetëm kur insufiçenca fillon të rëndohet, nisin të shfaqen gradualisht simptomat e sëmundjes të cilat janë:
- lodhje e përgjithshme dhe debolesë sidomos gjatë veprimtarisë fizike
- vështirësi në frymëmarrje kryesisht gjatë lëvizjes trupore ose edhe kur i sëmuri shtrihet në krevat
- dhimbje gjoksi gjatë veprimeve fizike
- zhurmë zemre
- marrje mëndsh
- aritmi të ndryshme
- ndjenjë e rrahjes së fortë të zemrës
- edema e gjymtyrëve të poshtëme
Ecuria e insufiçencës se valvulës aortale nuk mund të parashikohet dot. Në rastet kur është në një formë të lehtë, ajo mund të mbetet e pandryshuar pa krijuar ndonjë problem. Por në rastet kur përparon ajo mund të bëhet serioze.
Nga ana tjetër insufiçenca e valvulës krijon kushte për zhvillimin e endokarditit, i cili është infeksion i zemrës. Për të parandaluar këtë, i sëmuri duhet të marrë antibiotikë gjithmonë para çdo ndërhyrje kirurgjikale apo dentare.
Diagnoza vërtetohet me ekokardiogramë, por analiza të tjera si elektrokardiograma, grafia e mushkrive, testi i biçikletës ose kateterizimi i zemrës na japin informacion më të plotë për gjëndjen e zemrës.
Trajtimi i insufiçencës aortale
Trajtimi varet fillimisht nga fakti, nëse kjo insufiçencë është serioze apo jo dhe nëse kanë nisur simptomat. Gjithashtu tregues i rëndësishëm është shkalla e ndikimit të kësaj insufiçence në funksionimin e zemrës. Mjeku do të analizojë gjithë të dhënat dhe do të konkludojë mbi mënyrën që duhet ndjekur. Trajtimi përgjthësisht përfshin operacionin dhe medikamentet.
- Medikamentet nuk janë në gjëndje të shërojnë insufiçencën aortale, por ato ndihmojnë për lehtësimin e simptomave deri sa të bëhet operacioni.
- Operacioni është deri tani i vetmi trajtim rrënjësor i sëmundjes me rezultate të menjëhershme. Janë dy lloje opracionesh: zëvëndësimi i valvulës me një valvul artificiale, ose (kur është e mundshme) riparimi i saj pa qënë nevoja e zëvëndësimit.
Përsa i përket faktit se cila prej dy metodave kirurgjikale do të përdoret, ky vendim merret në sallën e operacionit mbas vrojtimit të hapur të valvulës dhe pas vlerësimit të gjëndjes të të sëmurit në përgjithësi.
Zëvëndësimi kirurgjikal i valvulës. Ky është trajtimi kryesor kirurgjikal për insuficencën e valvulës aortale. Operacioni kryhet gjithmonë me zemër të ndalur, prandaj për të vazhduar qarkullimin e gjakut është i nevojshëm përdorimi i aparatit ekstrakorporal.
Operacioni synon heqjen e valvulës së dëmtuar dhe vënien e valvulës artificiale në vend të saj (Fig. 2). Valvulat artificiale të cilat përdoren jane dy llojesh, mekanike ose biologjike.

Valvulat mekanike (Fig. 3) përbëhen nga material metalik titaniumi. Ato janë shumë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj kohës por mbartin rezikun e trombozës së gjakut rreth valvulës. Për këtë arsye i sëmuri duhet të marrë për gjithë jetën mjekim me medikamente të cilat pengojnë mpiksjen e gjakut (antikoagulantë), por duke qënë njëkohësisht i kujdesshëm, pasi ato mund të shkaktojnë hemoragji.

Valvulat biologjike (Fig. 4) përbëhen nga inde biologjike. Këto të fundit kanë jetëgjatësi më të vogël sesa ato metaliket, por i operuari nuk ka nevojë trajtohet vazhdimisht më pas me antikoagulant, pasi nuk ekziston rreziku i trombozës së gjakut. Për çdo rast mjeku diskuton me të sëmurin dhe i shpjegon atij eprësitë apo rreziqet e secilës valvul.

Riparimi kirurgjikal i valvulës. Ky do të mund të ishte trajtimi ideal për një valvul, duke patur parasysh se i sëmuri nuk do të ketë nevojë të marrë medikamente antikoagulante pas operacionit. Teknikat e riparimit përshtaten në varësi të llojit të difektit të valvulës (Fig 5,6,7). Mjeku synon parësisht riparimin e valvulës dhe dytësisht zëvëndësimin e saj, por fatkeqësisht vetëm një pakicë e të sëmurëve janë kandidatë idealë për këtë metodë.



Komplikacionet e operacionit
Ashtu si çdo operacion edhe zëvëndësimi i valvulës aortale ka një përqindje të caktuar komplikacionesh serioze siç janë: aritmitë, hemorragjia, episodi cerebral, infeksionet e ndryshme, insufiçenca renale ose dhe vdekja. Por përqindja e tyre është e ulët dhe nuk kalon 5% të rasteve.
Janë disa faktorë të cilët rrisin mundësinë e komplikacioneve pas një operacioni të tillë si psh: mosha e të sëmurit, seksi femër, sëmundjet kronike pulmonare, stenozat e arterieve periferike, statusi i rënduar neurologjik preoperativ, operacionet e mëparshme të zemrës, funksionimi preoperativ i veshkave, insufiçenca kardiake etj.
Në qoftë se i sëmuri ka endokardit aktiv, atëherë përqindja e komplikacioneve është në përgjithësi më e lartë sikurse dhe shkalla e vështirësisë së operacionit.
Njohuri rreth proçedurës operative
Pasi i sëmuri hyn në salle, vihet në narkozë të përgjithshme dhe kur gjithçka është gati atëherë fillon operacioni me incision në sternum (Fig. 8).

Në vazhdim hapet aorta. Hiqet valvula e dëmtuar dhe në vendin e saj vendoset valvula artificiale. Më pas qepet aorta dhe atëherë zemra me mushkritë vihen gradualisht në punë derisa të bëhet e mundur shkëputja e të sëmurit nga aparati i qarkullimit ekstrakorporal të gjakut. Në fund të proçedurës sternumi mbyllet përsëri dhe qepet lëkura. Pas mbarimit të operaciont i sëmuri transferohet në reanimacion, ku do të zgjohet gradualisht dhe do të ekstubohet. Do të qëndrojë atje një ditë ose më shumë nëse nevojitet dhe në vazhdim do të transferohet në pavion, ku do të jetë nën përkujdesje rreth 5 ditë (ose më tepër nganjëherë sipas nevojës).

imëkëmbja në shtëpi pas operacionit
Periudha e rimëkëmbjes së plotë të të sëmurit zgjat pothuajse 2 muaj për arsye të ndryshme. I operuari pas daljes nga spitali mund të ketë dhimbje për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, por me kalimin e ditëve ato gradualisht do të rrallohen derisa të ndalojnë. Për të lehtësuar gjëndjen ai mund të përdorë qetësues dhimbjesh sipas nevojës. Pas operacionit sternumi do rreth 1-2 muaj që të ngjitet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe i operuari duhet të shmangë ngritjen e peshave, sforcimin e krahërorit apo ngarjen e makinës. Ai mund të fillojë aktivitetin profesional pas 6 javësh, ose dhe më herët nëse ndihet mire apo nëse nuk do t’i duhet ushtrim i rëndë fizik. Është e rëndësishme të përmendet fakti, se i operuari duhet të ndiqet nga kardiologu dhe të ndjekë në mënyrë të përpiktë udhëzimet e tij. Pas operacionit është i nevojshëm kontrolli periodik i zemrës.
Kontakti
-
Tel:
-
T centre:
-
Mobile T:
+355696042790
+306974324241
-
Email:
Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.